Rama i pakënaqur nga SHBA për afganët: Premtojnë shumë, bëjnë pak!
Ceremonia e nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi mes Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Universitetit Shtetëror të Miçiganit, ku në mes ishin studentë afganë pasoi thumbime të Kryeministrit Edi Rama në adresë të Ambasadores së SHBA, Yuri Kim.
Rama tha se shqiptarët i hapën dyert për afganët pa pritur asgjë në këmbim prej tyre, por e lexoi bashkëpunimin mes universiteteve, që përfshin 12 studentë afganë në mes si një shenjë falenderimi. Duke komentuar procesin e strehimit të përkohshëm të afganëve në Shqipëri, Rama tha se procesi është stabilizuar. Por, këtu Kryeministri duke vlerësuar procesin e strehimit të përkohshëm dhe më pas largimit të afganëve thumboi SHBA.
“Më vjen shumë mirë që studentët afganë këtu kanë gjetur një hapësirë ku ndjehen mirë. Pas pak do të shkojnë matanë oqeanit, shpresoj që mos të mërziten se nuk do t’i trajtojnë kaq mirë sa i trajtojmë ne këtu, por do të mësojnë edhe ata të mos i trajtojnë mirë të tjerët dhe në rregull do të jenë. Ndërkohë, nuk diskutohet që është kënaqësi që të gjithë ata që erdhën, disa mijëra këtu kanë marrë atë për të cilën erdhën, të tjerë mund të vijnë prap, por është normalizuar gjithë sistemi. Kanadaja ka marrë një pjesë të madhe dhe SHBA po marrin, jo aq sa kanë premtuar, por një pjesë se e kanë çik zakon që premtojnë më shumë, por bëjnë më pak kur vjen puna te gjërat konkrete.
Kur vjen puna te standardet dhe vlerat pastaj, aty na japin pa pushim gjatë të gjithë kohës...po ne i marrim me kënaqësi. Po qe puna për vlera, standarde e predikime nuk ka ditë e natë, i kemi këtu na japin me bujarinë më të madhe se çfarë duhet të bëni dhe kur vjen puna te këto gjërat konkrete japin, po çik më me kujdes se nuk kanë të shkretët. Nuk janë në pozitë që të japin shumë.
Na vjen shumë mirë që sot jemi të gjithë bashkë këtu. Më pëlqeu shumë ajo pjesa që tha rektori: “Ju garantojmë zonja Ambasadore...” M’u kujtua koha kur vinte Sekretari i Partisë këtu dhe u thoshte ai dekani i vjetër: “Ju garantojmë shoku Sekretar i Komitetit të Partisë që ne do të punojmë që partia dhe populli të jenë krenarë për ne. Kaq kisha unë, edhe suksese dhe rroftë miqësia shqiptaro-afgane”, tha Rama.
Ky fjalim i Ramës shkaktoi të qeshura në sallë, ndërsa ambasadorja e SHBA, Yuri Kim në qeshje e sipër reagoi.
Kim: Çfarë nuk shkon me ty? Jam e sigurtë që përkthimi nuk ishte i saktë. Dëgjova diçka të çuditshme.
Rama: Sigurisht! Sigurisht! Është faji i përkthyesit. Thjesht shkarkoje! (përkthyesin)