Deti me Greqinë, Meta: Rama aventurier! Afera do ta marrë në fund të detit
Ilir Meta doli në konferencë për shtyp për të denoncuar një grup mafioz, sipas tij, që po vendos çmimin e naftës në vend, por në të njëjtën dalje foli për dy qëndrime të kundërta të Edi Ramës në politikën rajonale.
E para lidhej me çështjen e detit me Greqinë. Këtu akuzoi se Rama me qëndrimet e tij po dëmton interesat kombëtare.
“Ne nuk e kemi problemin me Greqinë, por e kemi me Edi Ramën dhe këtu llogaridhënia është e pashmangshme. Kjo aferë do të marri në fund të detit Edi Ramën, pa asnjë diskutim. I kam dërguar një letër Kuvendit dhe u kam çuar 140 deputetëve të Shqipërisë. Edhe një pjesë të dokumentimit të shqetësimeve serioze për këtë çështje, që vijnë si rezultat i gjithë lojërave të Ramës, i papërgjegjshëm, aventurier dhe i marrë peng. Dëmtues i jashtëzakonshëm i interesave tona kombëtare”, tha Meta.
Ish-Presidenti thotë se e ka të mirëdokumentuar të gjithë veprimtarinë e dëmshme ndaj interesave kombëtare të Edi Ramës, por se në publik s'mund të fliste për të gjitha.
“Veprimtaria shumë e dëmshme e këtij individi është shumë e dokumentuar, por nuk dua të flas për të gjitha në publik”, u shpreh ai.
Çështja e dytë ku u ndal Meta është Ballkani i Hapur. Ai thotë se në Presidencë ka qenë i rezervuar, por nismën e kundërshton.
“Rama, dobiçi i Vuçiç në Ballkanin e Hapur. Kam pasur qëndrim të përmbajtur, por e dini se cili është qëndrimi i Presidentit të Malit të Zi, që është nga politikanët më të përgjegjshëm e përvojë në këtë rajon. Edhe Presidenti i Maqedonisë së Verisë ka pasur e shprehur rezervat e tij, për këtë nismë që minon perspektivën europiane të rajonit dhe procesin e integrimit”, u shpreh Meta.