447 mln euro në Arbitrazhe, PD: SPAK të hetojë me shpejtësi
Partia Demokratike akuzon Edi Ramën se me vendimet arbitrare dhe të papërgjegjshme u ka hequr shqiptarëve nga xhepat 447 milionë euro. Reagimi i PD i referohet shumës së mundshme të shpërblimeve që arbitrazhet ndërkombëtare mund të dënojnë Shqipërinë për mosmarrëveshjet me kompanitë private.
PD kërkon nga SPAK që të hetojë në lidhje me këto çështje, duke kujtuar se në fillim të prillit ka depozituar një padi në Prokurorinë e Posaçme për një prej dosjeve, ku Shqipëria është ndëshkuar me mbi 100 mln euro.
“Në 8 prill 2021 Partia Demokratike ka depozituar në SPAK kallëzimin për çështjen "Beçhetti". Ne presim që ajo të hetohet me përparësi, sepse çdo orë vonesë tashmë përkthehet në një dëm ekonomik të pakthyeshëm për qytetarët”, thuhet në deklaratën e PD.
Sipas opozitës, 447 milionë euro nuk do të shkojnë për spitale, shkolla, kopshte, investime në infrastrukturë, ndihmë ekonomike për njerëzit në nevojë, por për të paguar dëmet e shkaktuara nga një pakicë që ka shkatërruar ekonominë dhe po varfëron shqiptarët.
“447 milionë euro, kjo është fatura e Edi Ramës për familjet shqiptare. Imagjinoni sa probleme të vogla dhe të mëdha për shqiptarët do të zgjidhte kjo shumë marramendëse, që fatkeqësisht do të kthehet në një peshë për buxhetin e çdo familje, që do të detyrohet të paguajë papërgjegjshmërinë e Edi Ramës”, thotë PD.