Çuditë me interpretimin e rregullores së pandemisë, deputeti voton nga makina
Pandemia e koronavirusit detyroi Kuvendi që të ndërhyjë në rregulloren e tij për ta përshtatur me kushtet e reja të gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe domosdoshmërisë së respektimit të distancimit fizik.
Ndryshimet parashikuan zhvillimin e mbledhjeve të Komisioneve parlamentare në distancë duke shfrytëzuar platformat teknologjike që mundësojnë komunikimin online. Por, pakkush e mendonte në kohën që u ndryshua kjo rregullore se ajo do të merrej si leje për të marrë pjesë në punimet e komisionit edhe nga makina, madje edhe nga jashtë shtetit fare.
Kështu ka ndodhur në Komisionin për Integrimin Europian, që drejtohet nga Rudina Hajdari, ku deputeti Arlind Çaçani ka votuar nga makina e tij gjatë mbledhjes së fundit të këtij Komisioni. Instituti i Studimeve Politike e vlerëson këtë si “tejkalim edhe të parashikimeve më imagjinare”.
“Një rrugë e tri punë, - udhëton, debaton dhe voton! E para, duket sikur ai është vetë në timon, Kodi Rrugor e ndalon përdorimin e teknologjisë gjatë udhëtimit dhe udhëtimin pa rrip sigurimi; së dyti Rregullorja e Kuvendit nuk ka ndonjë dispozitë që parasheh votimin në këtë formë dhe së treti...është interesante të mësohet sesi deputeti gjatë udhëtimit ka ndjekur debatin, ka lexuar materialin dhe në fund ka krijuar bindjen e votimit! Por imagjinoni nëse ai do të kërkonte fjalën për të bërë ndonjë amendim, për procedurë apo për të bërë pyetje dhe diskutim”, pyet ISP.
Instituti thotë se është në pritje se si do të reagojë Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën, drejtuesi i të cilit, Alketa Hyseni ndodhej vetë i pranishëm gjatë seancës ku deputeti Çaçani votoi nga makina e tij