Çela: Të rehabilitohet figura e Enver Hoxhës! Nipërit e Isa Toskës të mos mërziten
Deputeti i Partisë Socialiste i qarkut të Fierit, Bujar Çela uroi të dielën kolegët e tij në grupin ËhatsApp të Komisionit të Sigurisë për festën e Pavarësisë me një foto të flamurit kombëtar, por që shoqërohej me në krah fotografinë e Enver Hoxhës.
Rasti u denoncua nga deputetët e opozitës, që e cilësuan skandal dhe papërgjegjshmëri. Ata i kërkuan në grup deputetit në fjalë që të kërkonte falje dhe ta tërhiqte mbrapsht atë urim.
Një ditë më vonë, Taulant Balla me statusin e dyfishtë si drejtues politik i socialistëve në qarkun e Fierit dhe njëkohësisht si kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste e mbrojti deputetin duke thënë se “Bujar Çela e ka njoftuar se dikush tjetër e ka dërguar atë fotografi përmes telefonit të tij”.
“Unë kam marrë një sqarim nga deputeti në fjalë, që bëhet fjalë për përdorim të aparatit të tij celular nga persona të tjerë”, u shpreh ai.
Balla siguroi se e gjitha kjo “do të jetë pjesë e një verifikimi në aspektin e kodit të sjelljes dhe etikës brenda grupit parlamentar dhe çdo masë ndëshkimore do të merret në momentin që do të ketë verifikime. PS ka të gjithë instrumentet e nevojshme për të ndërmarrë çdo lloj hapi apo mase disiplinore”, u shpreh ai.
Por, ende pa u shpërndarë mirë nëpër media kjo deklaratë e Ballës, Bujar Çela e ka nxjerrë bllof eprorin e tij të dyfishtë. Deputeti i Lushnjes ka pranuar se ka qenë pikërisht ai që e ka dërguar atë foto, ka mbrojtur vendimin dhe ka bërë thirrje për rishikim të historisë dhe rehabilitim të figurës së Enver Hoxhës.
“I përkas atyre që e njohin luftën. Mendoj që figura e Enver Hoxhës nuk mund të quhet nul. Ka edhe kontribut në luftë, përderisa ne nuk kemi nxjerrë udhëheqës tjetër në luftë. Po që se ka ndonjë tjetër që pretendon se gjyshja apo gjyshërit ka në luftë, të shprehet, historianët janë aty, letrat janë aty. Shumë herë kemi bërë padrejtësisht, armiq dhe kriminelë dhe pastaj kemi reflektuar. Këto fakte janë nga më të ndryshmet. Që nga Balli Kombëtar, Legaliteti dhe pastaj armiqtë janë rreshtuar tek kampi fitues”, tha Çela.
Ai e mbylli deklaratën me një thumbim, me gjasë në drejtim të Enkelejd Alibeajt, që është anëtar i Komisionit të Sigurisë, duke e quajtur atë “nip të Isa Toskës”, udhëheqësit ballist në Luftën e Dytë Botërore, i ekzekutuar nga partizanët në Fier me akuzën e bashkëpunimit me fashistët.
“Foto në Komision? Në atë komision ka persona që janë nipër të Isa Toskës. Unë nuk jam nip i Enver Hoxhës, por jam si të gjithë shqiptarët që nuk mund të harrojë historinë nga e cila kemi ardhur ne si Komb”, tha Çela.
Isa Toska akuzohet nga historia komuniste për krime “makabre ndaj popullsisë në zonat e Mallakastrës, Fierit, Lushnjes dhe Vlorës”.