Als nächstes

Turqia prezanton makinën e parë “Made in Turkey”, Erdogan: Realizuam ëndrrën

35 Ansichten· 12/27/19
Gazeta Si
Gazeta Si
Abonnenten
0

Presidenti turk, Recep Taip Erdogan prezantoi këtë të premte jo pa krenari makinën e parë plotësisht “Made in Turkey”. Bëhet fjalë për realizimin e një projekti 60-vjeçar për të prodhuar plotësisht në vend një makinë turke.

Gjatë fjalës së prezantimit të makinës, Erdogan tha se Turqia nuk synon vetëm tregun vendas, por të shndërrohet në një eksportues global, duke filluar që nga Europa. Pikërisht me këtë objektiv dhe me faktin që Europa po u drejtohet gjithnjë e më shumë makinave elektrike, prodhuesit turq menduan që në prezantim të shpalosnin një model të tillë.

“Këtu jemi që të gjithë dëshmitarë të bërjes realitet të ëndrrës 60-vjeçare turke. Kur ta shohim këtë makinë nëpër rrugët e të gjithë botës, atëherë mund të themi se e kemi arritur objektivin tonë”, deklaroi Presidenti Erdogan.

Fjalimi i tij u pasua me parakalimin e një modeli “SUV” të kuq dhe një gri me logon “TOGG”, sipas konsorciumit që ka sponsorizuar këtë nismë. Erdogan u zotua se brenda vitit 2022 e gjithë Turqia do të ketë të ngritur infrastrukturën për karikimin e makinave elektrike.

Turqia është aktualisht një eksportuese e madhe e makinave në Europë, por bëhet fjalë për marka të huaja që kanë ngritur kryesisht fabrika montimi dhe prodhimi pjesësh dytësore në këtë vend, si Ford, Fiat Chrysler, Renault, Toyota dhe Hyundai.

Kompania “TOGG” thotë se prodhimi do të nisë me pesë modele të ndryshme, ndërsa Qeveria turke ka prenotuar 30 mijë automjete brenda vitit 2035.

Erdogan bëri për herë të parë publik planin për të ndërtuar një makinë plotësisht “Made in Turkey” në vitin 2017. Afati i vendosur ishte viti 2021, por konsorciumi i kompanive më të mëdha turke e realizoi këtë dy vite para afatit.

Konsorciumi i quajtur “Turkey Automobile Initiative Group” (TOGG) u themelua në 2018 nga pesë grupet më të mëdha industriale turke, si Anadolu Group, BMC, Kok Group, Turkcell dhe Zorlu Holding.

Drejtori ekzekutiv është ish-kreu ekzektiv i Bosch, Gurcan Karakas dhe shefi operacional Sergio Rocha, që më parë ka mbajtur postin e drejtorit ekzekutiv të General Motors Korea. Synimi është që brenda 13 viteve të prodhohen 175 mijë makina, me një kosto që shkon në rreth 3.7 miliardë dollarë.

Zeig mehr

 0 Bemerkungen sort   Sortiere nach


Als nächstes