Volgende

“Teatri”, Meta: Karagjozët të mos bëjnë prova force me Presidentin

21 Bekeken· 05/14/20
Gazeta Si
Gazeta Si
abonnees
0

Presidenti Ilir Meta doli para gazetarëve për të arsyetuar edhe juridikisht kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave që kalon në pronësi të Bashkisë së Tiranës godinat dhe truallin e Teatrit Kombëtar.

Shkelja kryesore kushtetuese në këtë vendim, sipas Presidentit Meta, është tejkalimi i kompetencave nga ana e Bashkisë së Tiranës. Presidenti tha se teatri është një vepër kombëtare me interes të rëndësishëm për vlerat dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore që nuk mund t’i kalohet në menaxhim pushtetit vendor.

“Bashkia Tiranë nuk mund të ketë në pronësi këtë truall, pasi është kombëtar. Për një pasuri të tillë publike pronësia duhet të jetë vetëm pronë e Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Presidenti.

Në vendimin e datës 9 maj të Qeverisë, kushtëzohet kalimi i pronësisë me prishjen e objektit ekzistues dhe ndërtimit të një objekti të ri. Pikërisht për këtë arsye, kreu i shtetit i kërkon Gjykatës Kushtetuese që ta marrë në shqyrtim dhe të vendosë për pezullimin e të gjitha veprimeve, pasi në të kundërt, siç tha ai, vendi rrezikon të humbasë një pjesë të identitetit kombëtar dhe historinë 80-vjeçare të teatrit.

“Pasojat do të ishin të parekuperueshme. Prandaj, kjo e bën të domosdoshme që të vendoset pezullimi i të gjitha akteve deri në marrjen e një vendimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese”, tha Meta.

Presidenti thotë se në thelb, si VKM-ja e Qeverisë, ashtu edhe ligji për dhënien me koncesion të këtij trualli, që kreu i shtetit e ka dorëzuar në Kushtetuese që në korrik të 2019 janë e njëjta gjë. Meta shmangu komentin mbi deklaratat e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, që pak ditë më parë tha se teatri i ri do të bëhet dhe kërkoi nga Presidenti që “të mos fuste hundët tek punët që s’i takojnë”, duke përdorur shprehjen tiranase “graj gamorin tat”.

Por, ai tha se çështja e Teatrit Kombëtar është një çështje e ngritur në nivele kushtetuese tashmë dhe nuk kurseu tonet e forta.

“Presidenti është gjithmonë në krye të detyrës së tij në mbrojtje të Kushtetutës dhe interesit kombëtar e publik. Sa i takon ndonjë karagjozi, apo karagjozëve që kërkojnë të bëjnë prova force me Presidentin, duhet ta ketë të qartë se Presidenti sillet me përgjegjësi maksimale, mban shënim çdo gjë dhe i ka bërë paralajmërimet të përsëritura. Presidenti do të bëjë detyrën e tij, pa rënë në provokime banale”, deklaroi ai.

Kërkesa në Gjykatën Kushtetuese për anulimin e VKM-së së Qeverisë u dorëzua më herët nga Këshilltari ligjor i Presidentit, Bledar Dervishaj.

“Kjo është kërkesa e dytë që Presidenti i dorëzon kushtetueses dhe në të kërkohet shfuqizimi i vendimit të 8 majit 2020, që kalon në pronësi të Bashkisë së Tiranës, godinën e Teatrit Kombëtar, që sipas qëllimit të shprehur në vetë VKM-në e Qeverisë duhet të prishet”, deklaroi për Zërin e Amerikës, këshilltari Dervishaj.

Dervishaj tha se kërkesa është në vijimësi të padisë së parë kundër prishjes së godinës.

“Argumentat kushtetues mbeten të njëjtë, që godina paraqet interes të lartë publik dhe kombëtar dhe prishja e saj shkakon humbje. Prandaj, Presidenti kërkon nga Gjykata Kushtetuese fillimisht pezullimin e efekteve të këtij akti deri kur gjykata të shprehet. Të ndalohet çdo veprim administrativ që cenon godinën e teatrit”, tha Dervishaj.

Dorëzimi i kërkesës nga ana e Presidentit i paraprin mbledhjes së parashikuar për të premten të Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku në rend të ditës është edhe shqyrtimi i vendimit për prishjen e godinës ekzistuese dhe ngritjes së godinës së re.

Ndërkohë, pasdite e së mërkurës forca të shumta të policisë bashkiake u panë afër teatrit, duke shkaktuar reagim të fortë nga grupi i artistëve dhe anëtarëve të shoqërisë civile që protesojnë prej muajsh kundër shembjes së godinës.

Laat meer zien

 0 Comments sort   Sorteer op


Volgende