Up next

Rama: Njerëzit nuk hanë shifra, por ekonomia në rrugë të mbarë

8 Shikime· 01/30/20
Gazeta Si
Gazeta Si
Subscribers
0
In Lajme

Kryeministri Edi Rama është i bindur se ekonomia shqiptare është në përmirësim të vazhdueshëm. Ai nuk citoi shifra, por iu referua shifrave për të argumentuar këtë bindje në Forumin Ekonomik të Tiranës, që mban punimet këtë të enjte në Shqipëri.

“Njerëzit nuk hanë statistikat dhe shifrat dhe natyrisht njerëzit me të drejtë nuk duan të krahasohen me pikën ku ishin dje, por me pikën ku duan të jenë nesër. Por, kjo nuk është punë e thjeshtë. Në fjalimin e përgatitur nga stafi im ka shumë shifra dhe në çdo shifër ne kemi pasur përmirësime. Kemi normën më të ulët të papunësisë për 25 vite, që Banka Botërore, e cilëson si histori suksesi”, deklaroi ai.

Kryeministri hodhi poshtë edhe kritikat që e lidhin uljen e papunësisë me emigracionin.

“Njerëz që e ndjekin këtë përmes medias, do të thonë se papunësia është ulur sepse popullata është ulur dhe njerëzit janë larguar. Por nuk është kështu, sepse përqindja e papunësisë nuk vjen nga numri i personave që jetojnë tani në Shqipëri, por bazohen në të gjithë popullsinë. Nëse marrim parasysh njerëzit që jetojnë në vend sot, kjo shifër do të ishte akoma më ulët”, vijoi Rama.

Kreu i Qeverisë foli për rritje të investimeve të huaja, megjithëse pranoi se klima e të bërit biznes ka nevojë për përmirësim.

“Investimet e huaja, kemi nevojë që të kemi shumë më tepër, por faktikisht kemi progres, rritje të investimeve të huaja. Por, le të mos flasim për arritjet, por për sfidat. E kuptojmë që duhet të përmirësojmë klimën e biznesit dhe kemi nevojë të përmirësojmë sjelljen dhe kapacitetin e administratës tonë dhe kemi një nevojë specifike për të përmirësuar atë pjesë të administratës që lidhet drejtpërdrejtë me veprimtarinë e biznesit”, u shpreh ai.

Mes masave, që Rama thotë se do të përmirësojnë klimën dhe që si objektiv për realizimin e tyre vendosi 2020, përmendi digjitalizimin e shërbimeve dhe fiskalizimin e ri, që do të heqë kasat fiskale aktuale për t’i lënë vendin një sistemi të ri.

“Gjatë këtij viti do të kemi rezultate të rëndësishme me digjitalizimin e shërbimeve. Plani ynë është që brenda 2020 të kemi 95 për qind të shërbimeve të digjitalizuara. Ne sot nuk kemi transparencë sa u takon transaksioneve nga biznesi në biznes dhe kemi vetëm një raport brenda 24 orëve nga biznesi me klientët. Kjo do të thotë se ka shumë hije në këtë veprimtari. Me programin e fiskalizimit do të shohim çdo sekondë të veprimtarive online dhe e gjithë veprimtaria do të shkojë në një server që do të jetë nën monitorimin e administratës fiskale. Kjo do të sigurojë nivel fantastik transparence dhe do të parandalojë në një masë të madhe keqadministrimin nga administrata”, tha ai.

Kryeministri premtoi gjithashtu edhe ngritjen e një sistemi gjurmimi të produkteve, që do të nisë me produktet e akcizës dhe do të vazhdojë me produktet ushqimore, ujin e pijshëm dhe barnat.

Më shumë

 0 Komente sort   Sort By


Up next