Up next

Negociatat: Ne i bëmë detyrat, por Franca...

29 Shikime· 10/15/19
Gazeta Si
Gazeta Si
1 Subscribers
1
In Lajme

Pritshmëritë e Kryeministrit Edi Rama që Bashkimi Europian do të hapë negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë më 18 tetor janë të ulta, por jo të zbehta plotësisht. Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Rama “fajësoi” presidentin francez, Emmanuel Macron për këtë.

“Franca dhe 2-3 vendet nuk kanë dalë ende në një pozicion zyrtar, ndaj nuk përjashtohet që më 18 tetor të ketë një tjetër vendim. Por, Presidenti i Francës ka një vizion dhe qasje publikisht të shpallur që prej ditës së parë të zgjedhjes së tij. Ai nuk është i gatshëm të shtyjë integrimin dhe zgjerimin e BE pa reformuar unionin. Qasja është e shpërputhur nga qasja tradicionale që karakterizon frontin e Po-së”, tha Rama.

Kryeministri thotë se ky qëndrim francez nuk duhet nënkuptuar si qasje kundër Shqipërisë, por si pasojë e përplasjeve të brendshme të BE-së mbi prioritetet që duhet të ketë.

“Nuk është qasje kundër Shqipërisë, megjithëse asgjë nuk përjashtohet deri në minutën e fundit. Fjala e fundit nuk është thënë ende. Përpjekjet deri në mbledhjen e Këshillit synojnë që të përputhin qëndrimet e të dyja anëve në pritje të bisedimeve të Gjermanisë dhe Francës”, vijoi ai.

Rama i cilësoi spekulime lajmet që e lidhin qëndrimin e Francës, Holandës dhe Danimarkës me progresin që ka bërë Shqipëria.

“Unë nuk e di sot se si do të përfundojë kjo odise më 18 tetor, por di që e para, përtej spekulimeve dhe broçkullave, vendimmarrja nuk ka lidhje me çfarë kemi bërë, apo nuk kemi bërë ne në vendin tonë. Vendimmarrja ka lidhje thelbësore me çfarë duan, apo nuk duan të bëjnë anëtarët e BE mes vetes dhe me sa do të arrijnë mes tyre që të dakordësohen se cilado qoftë reforma brenda BE ajo nuk duhet të pengojë negociatat”, shtoi ai.

Së dyti, Rama është i bindur se Shqipëria jo vetëm që ka realizuar detyrat e vendosura nga BE, por ka shkuaër përtej dhe kjo, sipas Kryeministrit shprehet qartë në rekomandimin pa kushte të Komisionit për hapjen e negociatave.

Rama akuzoi Partinë Demokratike se loboi në Bundestag për të bllokuar hapjen e negociatave.

“Kemi kapërcyer pengesën e lartë në Bundestag, edhe si pasojë e planit politik të opozitës për të bllokuar negociatat. Bundestagu i tha po Shqipërisë dhe sot Gjermania është avokati ynë i madh në këtë proces shumë të ndërlikuar”, vijoi ai.

Kryeministri mbyll mesazhin e tij duke thënë se pavarësisht përfundimit nga kjo mbledhje e Këshillit Europian, ai dhe qeveria e tij do të vazhdojë punën, sipas tij, për Shqipërinë, shqiptarët dhe gjeneratat e tjera.

Më shumë

 0 Komente sort   Sort By


Up next