Als nächstes

“Kalo nga mali dhe merr gjobën”

19 Ansichten· 04/06/20
Gazeta Si
Gazeta Si
Abonnenten
0

Emigrantë shqiptarë të bllokuar në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë përleshen me policinë në doganën e Kapshticës.

Qëndrimi përballë portave të mbyllura të doganave për orë, madje edhe për ditë me radhë i ka detyruar mjaft emigrantë që të pranojnë “një ofertë të pakërkuar” nga ana e punonjësve të policisë kufitare, si të vetmen rrugë për t’u rikthyer në shtëpi.

Burime të sigurta të gazetës “Si” rrëfejnë se në Kapshticë dhe Kakavijë po luhet këto ditë një lojë si “macja me miun”. Përballë urdhrit të eprorëve që të mos lejojnë askënd që të hyjë në Shqipëri pa marrë më parë një autorizim nga konsullata shqiptare në Greqi, apo pa pasur arsye të forta shëndetësore dhe humanitare, policët kufitarë “udhëzojnë” nën zë personat e bllokuar që të hyjnë ilegalisht në Shqipëri, pra të kalojnë kufirin nga mali.

“Pjesa më e madhe kanë lëvizur me pasaporta dhe kanë mbetur si në çark pasi kanë marrë vulën e daljes nga Greqia. Nuk mund të kthehen mbrapsht, nuk lejohen as të hyjnë këtej”, thonë burimet për gazetën “Si”.

Pasi kalojnë kufirin e gjelbër, emigrantët “kapen” nga policia shqiptare dhe gjobiten me minimumi 10 mijë lek të reja secili dhe më pas shpërndahen nëpër zonat nga janë. Gjoba është “kompromisi” që vetë emigrantët e pranojnë.

“Ça të bëja?! Qëndrova 40 orë atje në të ftohtë. Nuk qëndroja dot më shumë! Kalova nga mali, mora gjobën dhe erdha në shtëpi”, thotë për gazetën “Si” njëri prej emigrantëve që ka përdorur këtë skemë në kushte anonimati.

Vetëm ditën e premte janë gjobitur 18 shtetas në Kakavijë për kalimin e paligjshëm të kufirit dhe shkeljen e masave kufizuese të marra kundër përhapjes së koronavirusit. Ata që këmbëngulin që të hyjnë nga “dera kryesore”, duke shmangur kështu gjobitjen, në Kapshticë janë revoltuar ditën e diel, duke bllokuar kamionët me mallra që të hyjnë në Shqipëri, në shenjë proteste për bllokimin e tyre në tokën neutrale. Të dielën në këtë pikë kalimi kufitar numri i tyre ishte rreth 50 vetë, mes të cilëve edhe gra, pleq e fëmijë.

Numri i atyre personave që mbeten të bllokuar në zonën neutrale ndryshon nga dita në ditë. Një pjesë e mirë e atyre që janë me leje qëndrimi në Greqi rikthehen sërish mbrapsht, ndërsa ata me pasaporta mbeten të zënë në kurth në tokën e askujt dhe pas orësh e deri ditësh pritjeje hyjnë ilegalisht nga kufiri i gjelbër.

Për këto arsye askush nuk mund të japë një shifër të saktë se sa shqiptarë kanë mbetur të bllokuar në kufi, përveç autoriteteve greke, që në të gjitha rastet kanë regjistruar vulën e daljes. Nga pala shqiptare refuzohet komenti mbi këtë çështje dhe të vetmet deklarata janë reagimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Ministrisë së Brendshme, ku e para kujton se është në fuqi urdhri për mbylljen totale të kufijve dhe e dyta thotë se askush nuk do të lejohet që të shkelë këtë urdhër.

Gazetarët dhe mediat nuk lejohen nga autoritetet shqiptare që t’i afrohen zonës neutrale dhe i vetmi burim informacioni mbeten vetë emigrantët e bllokuar që postojnë foto dhe video përmes rrjeteve sociale në përpjekje për të ngritur zërin për shqetësimin e tyre.

Zeig mehr

 0 Bemerkungen sort   Sortiere nach


Als nächstes