Suivant

Deputetëve u matet temperatura para se të hyjnë në seancë

22 Vues· 05/14/20
Gazeta Si
Gazeta Si
Les abonnés
0

Anashkalimi i ndryshimit të sistemit zgjedhor nga diskutimet e Këshillit Politik deri më tani ka nervozuar deputetët e opozitës parlamentare, që në seancën e kësaj të enjteje përveçse nuk u shfaqën në një zë, sulmuan si mazhorancën, ashtu edhe opozitën jashtëparlamentare se po kërkojnë të ruajnë “status quo-në”.

Rudina Hajdari, që përfaqëson opozitën parlamentare në Këshillin Politik foli për pazare që po bëhen mes PS dhe PD dhe tha se vetë refuzon që të bëhet pjesë e këtyre pazarave. Deputeti Ralf Gjoni kërkoi menjëherë që Hajdari të tërhiqej nga tryeza dhe i bëri thirrje mazhorancës që të ndryshojë sistemin zgjedhor dhe të mos i trembet. Ndryshime të sistemit zgjedhor kërkuan edhe deputetët Ralf Gjoni dhe Andi Përmeti.

Por, mënyra sesi e ka përfaqësuar Hajdari opozitën parlamentare në tryezën e reformës zgjedhore duket se ka shkaktuar pakënaqësi në radhët e grupit parlamentar demokrat. Sipas një dokumenti që ndodhet i depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, grupi është mbledhur më datë 12 maj ka vendosur shkarkimin e saj nga drejtimi i grupit dhe emërimin në këtë detyrë të Myslim Murrizit.

Vendimi nuk është zyrtarizuar ende nga Parlamenti, ndërkohë që për këtë mbledhje nuk foli asnjë prej deputetëve të opozitës dhe as vetë Rudina Hajdari. Gazeta “Si” kontaktoi një pjesë të deputetëve të grupit parlamentar demokrat, të cilët nuk pohuan, por as e mohuan shkarkimin e Rudina Hajdarit.

Por, që atmosfera brenda opozitës parlamentare është tensionuar dhe e përçarë konfirmohet tërthorazi nga fjalimi që Rudina Hajdari mbajti në seancë plenare, ku foli për pazare dhe deputetë të opozitës parlamentare që kërkojnë të kapin ndonjë “llokmë” nga pushteti.

“Ka edhe nga ata opozitar që duan një llokmë. Mos bëni opozitë duke dashur llokma. Unë nuk bëhem pjesë e tyre. Duhet të mbarojë kjo politikë me shkelje syri. Bëjmë akuza dhe flasim për koncesione dhe në darkë ulemi për të marrë një llokmë nga ai koncesion”, deklaroi ajo.

Deputeti Myslim Murrizi tha nga ana tjetër se e vetmja mënyrë që mazhoranca të kalojë reformën zgjedhore pa ndryshimin e sistemit është që të blejë deputetët e opozitës.

“Do ta kaloni? Ta shikojmë! Nëse me paratë e dosjes 184, 385, 395, 384 do të blini nga ky krahu këtej? Si do e kaloni ju? Me ata të bunkerit të Pallatit të Kongreseve (PD+LSI)? Kënaqem me ata kur thonë edhe ne do ta votojmë këtë! Ku do ta votojnë ata?! Në pallat të sportit?!”, tha ai.

Ralf Gjoni, Andi Përmeti dhe Halil Jakimi sfiduan deputetët socialistë që të ndryshojnë sistemin dhe të testojnë me votë popullore nëse opozita parlamentare do të mbijetojë apo jo.

“Çdo shqiptar i ndershëm i pavarur që nuk i përket komunitetit të lëpirësave, ka një pyetje: pse ka frikë Edi Rama listat e hapura? Që PD është në krevat me PS-ja kjo dihej, por ata të LSI-së, që bënë grevë urie në këtë sallë nuk i kuptoj që prej 2017 se pse. Kanë çuar Tit Vasilin që duket si nuse fshati. Më e fortë duket Rudina Hajdari. Nëse ata vazhdojnë të luajnë lojëra, prania jonë në atë Këshill duhet të futet në diskutim. Nuk kemi nevojë të bëhemi nevojë e tresheve të tyre në krevat për të mbajtur pishtarin”, tha Gjoni.

“Ju drejtohem kolegëve të PS-së. Ju dhe ne kemi votat për ta ndryshuar kodin zgjedhor. Guxoni për të ndryshuar sistemin, se kjo është për të mirën e Shqipërisë dhe dinjitetin tuaj. Nëse ia lini Edi Ramës listat, unë kam frikë se 50 për qind e juaja më e mirë do të mungojë herën tjetër. Edi Rama, kam frikë se po përgatit skenarin për t'ju zëvendësuar ju me kriminelët. Ligji nuk e lejon, por Rama po e përgatit, ata do të quhen biznesmenë të kultivimit të kanabisit", deklaroi nga ana tjetër deputeti Andi Përmeti.

Kjo ishte seanca e tretë plenare që Parlamenti zhvillon nën masat e sigurisë anti-Covid. Deputetët hynë në sallë me doreza dhe maska dhe para se të uleshin në vendet e përcaktuara sipas protokollit të distancimit fizik iu mat edhe temperatura.

Në rend dite ishin katër projektligje dhe që të gjithë pa lidhje me situatën e krizës së shkaktuar nga koronavirusi. Ligjet që u miratuan ishin për sektorin e energjisë, tregjet e kapitalit, përmirësimin e zonave të lira të biznesit dhe heqjen e TVSH-së për jahtet.

Montre plus

 0 commentaires sort   Trier par


Suivant